Nga Endri ÇINARI
Vllaznia pas 13 javëve të para të kampionati të Superiores ka në “gjirin” e saj golashënuesin më të mirë. Bekim Balaj ka vijuar me formën e shkëlqyer edhe këtë edicion, ku deri më tani ka shënuar 8 gola. Më shumë se kushdo në elitën e futbollit tonë, ku aktualisht shtatlartin e ndjek me gola sulmuesi i Dinamos, Itodo me 6 rrjeta. Por duket se 33-vjeçari me këtë ritëm do e thellojë rekordin e sezonit të shkuar.
Balaj në sezonin 2023-24 shënoi 17 gola, duke merituar në fund edhe “Këpucën e Artë”. Por tek shkodranët nuk është vetëm golashënuesi më i mirë i kampionatit, por edhe asistuesi më i mirë deri më tani. Fjala është për Esat Malen, i cili ka dhuruar 5 pasime deçizive për gol, me mesfushorin që është më i miri në Superiore përsa i përket kësaj statistike.
Loja e prizrenasit ka qenë e një niveli të shkëlqyer deri në këto momente. Ku përveç si një prej futbollistëve kryesorë të Vllaznisë, ai është konfirmuar edhe si një nga më të mirët e kampionatit. Nga 21 golat që ka shënuar Vllaznia pas 13 javëve të para, Mala ka dhënë kontribut në 9 prej tyre. Duke shënuar 4 herë dhe asistuar 5 herë të tjera.
Patjetër për Vllazninë është një “luks” dhe fat që ka në përbërje dyshen Balaj-Mala. Që deri më tani me lojën e tyre kanë qenë vendimtarë për rezultatet pozitive të kuqebluve. Që pas 13 javësh janë në vendin e dytë të renditjes me 22 pikë, 2 më pak se Partizani kryesuses me 24 pikë të grumbulluara deri më tani./www.shkodrasport.com/