Mungesa e një bilete për të parë Shqipërinë ndaj Spanjës për ish- sulmuesin e kombëtares shqiptare, Sokol Kushtën, bëri jo pak bujë në opinionin publik pas publikimit në një të përditshme sportive. FSHF u mundua të reagonte duke dhënë versionin e saj por në fakt, mungesa e një bilete, nuk ka ndodhur vetëm për Kushtën.
Të njëjtin shqetësim kanë shfaqur edhe figurat e shquara të futbollit shkodran e pikërisht Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Frederik Çapaliku e të tjerë. Për më tepër që ndeshja ndaj spanjollëve do të luhet edhe në Shkodër dhe ata kanë shfaqur dëshirën të ishin prezent në “Loro Boriçi” por për ta nuk ka patur bileta. E njëjta histori si për shumë sportdashës shkodranë. Për këta të fundit ishte e palogjikshme që ndeshja të luhet në Shkodër dhe të paktën të mos jenë 10 për qind të biletave në shitje për njerëzit e këtij qyteti. Të mos ketë bileta për klubin Vllaznia, për Bashkinë Shkodër dhe për veteranët e sportit të këtij qyteti. Nuk po themi nëse duhej të ishin falas apo jo por të paktën dikush t’u thoshte Ramazan Rragamit, Sabah Bizit etj, që e kishin një vend në stadium. Pikërisht për atë që kanë dhënë në vite për kombëtaren shqiptare. Por nuk ndodhi kështu dhe natyrisht që ky është një minus i madh për Federatën Shqiptare të Futbollit.