Tek Skënderbeu nuk ka vetëm largime, por edhe afrime. Pas mesfushorit brazilian Agnaldo Moraes që është rikthyer sërish tek kjo skuadër, mësohet se janë edhe dy lojtarë të tjerë që vijnë te Skënderbeu, madje njëri ka mbërritur qysh sot në Durrës.

Bëhet fjalë për një mesfushor që vjen nga Portugalia dhe mësohet se ka luajtur me Porto B. Nuk jepen shumë të dhëna për lojtarin në fjalë, por menjëherë sapo ka mbërritur, është vënë nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka. Lojtari në fjalë luan në qendër të mesfushës dhe flitet se ka vlera. Parimisht me lojtarin në fjalë është rënë dakord dhe pritet një përgjigje e stafit teknik që futbollisti në fjalë të firmosë nga ora në orë.

Por nuk është vetëm një lojtar që vjen nga Portugalia, pasi është edhe një tjetër që pritet ditën e nesërme të dalë në stërvitje, ndërkohë që të dhënat për të janë më shumë se hermetike, pasi drejtuesit pa firmosur kontratat nuk dëshirojnë të japin emra. Gjithsesi e rëndësishme është se janë tre lojtarë në total që vijnë te Skënderbeu, ku dy prej tyre vijnë nga Portugalia dhe njëri ka luajtur me skuadrën Porto B.

Është “Korça Boom” ajo që ka bërë të ditur se këta emrat e këtyre futbollistëve pritet që të bëhen publik shumë shpejt. Skënderbeu në këtë mënyrë po mbushet nga dita në ditë dhe po “vrapon” për të firmosur sa më shpejt me lojtarë të shumtë në këtë merkato dimërore. Duke parë që edhe numri i të huajve nga 1 janari është rritur, Skënderbeu është duke kërkuar në tregun e huaj. Jo pak, por 7 lojtarë të huaj lejohen deri në fund të sezonit që të jenë në fushë dhe tregu i vetëm ku mund të gjenden përforcime në këtë merkato dimërore është tregu i huaj.