Pas divorcit zyrtar nga Skënderbeu dhe deklaratës “bombë” se nuk është shlyer nga klubi korçar, Sabjen Lilaj pritet të sistemohet në kampionatin azerbajxhanas.
“Panorama Sport” mëson se klubi kampion në fuqi, Karabak, ku luan Ansi Agolli, si dhe skuadrat që e mbyllën kampionatin në vendin e dytë dhe të tretë, Qabala dhe Neftçi Baku i kanë bërë ofertë zyrtare mesfushorit korçar.
Oferta e Karabakut mësohet se është më joshëse, për më tepër që azerët marrin pjesë edhe në Ligën e Kampioneve.
Gazeta zbulon se klubi ku prej vitesh bën pjesë Agolli i ofron 20 mijë euro në muaj. Nga ana tjetër, një shumë të konsiderueshme i ofrojnë edhe Qabala e Neftçi Baku, që gjithashtu marrin pjesë në Ligën e Europës.
Mendohet se bëhet fjalë për 15 mijë euro në muaj. Gjithsesi, tashmë është në dorën e Lilajt se çfarë duhet të zgjedhë për të ardhmen.
Lilaj ishte lojtari më i paguar te Skënderbeu në sezonin e fundit, teksa merrte 13 mijë euro në muaj. Për mesfushorin është ende në fuqi oferta e Palermos prej 200 mijë eurosh, por klubi italian ka vendosur si kusht, që mund të afrojë mesfushorin, vetëm në rast se ngjitet në Serinë A.
Aktualisht, siçiljanët luftojnë për të qenë në elitën e futbollit italian, teksa do të luajnë sot për fazën “play-off” ndaj Frozinones.