Lajmi se portugezi Pepe kishte prishur kontratën me Beshiktashin dhe është larguar nga klubi turk ka bërë bujë këto ditë. Por pakkush ka vënë re se nga klubi turk janë larguar në të njëjtën mënyrë edhe Negredo, Fabricio e Çenk Tosun.
Ndërsa së shpejti shumë lojtarë të tjerë do të ndjekin të njëjtën rrugë për t’ larguar nga gjiganti turk. Fajin për këtë e ka vetëm lira turke.
Problemi është se yjet e skuadrës paguheshin në euro, ndërsa lira turke është zhvlerësuar me 26% gjatë vitit të fundit në krahasim me monedhën ndërkombëtare.
Kësisoj, rrogat e lojtarëve që paguheshin me euro janë bërë të papërballueshme për klubin, i cili ka edhe borxhe të tjera të vjetra dhe rrezikon falimentin.
Ndaj me akord është arritur në përfundimin që të prishen kontratat me këta lojtarë, ndërsa ka të tjerë të cilët do të ikin në ditët e para të janarit. Në listën e atyre që do të largohen janë shumë emra të njohur si Karius, Medel, Babel, Ljajiç, Kuarezma apo Vida. /vipsport/