U mendua se do të ishte vetëm një mungesë ndaj Laçit por në fakt janë bërë dy. E sigurtë ka qenë mungesa e mbrojtësit Denis Pjeshka i cili ka dy javë që është i padisponueshëm për stafin teknik si rrjedhojë e një dëmtimi ndërkohë që sot është konfirmuar edhe mungesa e një tjetër futbollisti. Bëhet fjalë për mesfushorin Alsid Tafili. Ai që në seancën e djeshme ka ndjerë një kontraktim muskular në pjesën e përparme të kofshës megjithatë nuk i ka kushtuar shumë rëndësi duke menduar se do të ishte diçka kalimtare.

Ka bërë masazh me idenë se çdo gjë do të kalonte por jo. Në seancën e sotme 30 vjeçari e ka konstatuar sërish të njëjtin problem duke mos qenë në gjendje t’i bënte siç duhet vrapimet dhe pas konsultimit me stafin mjetësor dhe atë teknik është vendosur që lojtari të mos jetë i gatshëm për sfidën e rradhës me Laçin. Padyshim që kjo është një mungesë e rëndësishme megjithatë në mesfushë trajneri Gjoka ka alternativa në repartin e mesfushës dhe ato do të bëjnë që kjo mungesë të mos ndihet. Gjithë futbollistët e tjerë janë të gatshëm dhe në dispozicion të trajnerit që padyshim do të mundohet të hedhë në fushë formacionin më të mirë në mënyrë që të marrë një tjetër fitore në kampionat.

© shkodrasport.com