Vllaznia në ndeshjen e rradhës kundër Egnatias në kampionat do vijë me ndryshime në stafin teknik. Kështu pas largimit të trajnerit, Thomas Brdariç, drejtimi i skuadrës i është besuar, Elvis Plorit.
Plori i cili ishte deri në këto momente zv.trajneri i kuqebluve. Për të do jetë një debutim si trajner kryesor i Vllaznisë gjatë karrierës së tij.
Por një debutim do jetë edhe për Auron Milotin. Ish-sulmuesi që gjatë këtyre dy sezoneve ka qenë në rolin e një skauti për shkodranët, është emëruar si ndihmës i Plorit.
Kjo është hera e parë në karrierën e 47-vjeçarit që ai do jetë pjesë e ndonjë stafi teknik në futbollin shqiptar. Që prej largimit nga viti 1998 kur luajti për herë të fundit si futbollist me Vllazninë, Miloti ka dhënë kontributin e tij në futbollin austriak.
Fillimisht duke luajtur me skuadra të ndryshme austriake si Wörgl, LASK Linz, Feldkirchen, Globasnitz apo edhe Liebenfels deri në vitin 2013 ku u tërhoq. Gjithashtu në aspektin e drejtimi ai ka eksperienca tek Feldkirchen apo edhe Liebenfels ku njëkohësisht ka vepruar si trajner dhe futbollist. Por tashmë kjo është një eksperiencë e re për Milotin.
Për herë të parë do jetë pjesë e stafit teknik të skuadrës së tij së zemrës dhe qytetit të tij. Ish-sulmuesi duket se e ka mirëpritur menjëherë ftesën e presidentit Xhaferri për të qenë pjesë e Vllaznisë tashmë në një rol të ri.
Tashmë pritet që Plori së bashku me Milotin dhe pjesën tjetër të stafit të bëjnë më të mirën deri në fund të kampionatit për të ndihmuar Vllazninë që të bëjë një mbyllje sa më të mirë sezonit.
Endri ÇINARI