Vllaznia mori një barazim me shumë vlera në ndeshjen e parë kualifikuese të Conference League. Shkodranët e mbyllën në shifrat 2-2 takimin me Valur në tokën islandeze. Ku duhet theksuar se edhe fati nuk ishte në rradhët e kuqebluve. Pasi ata u ndëshkuan me gol në minutën e 99-të të ndeshjes.

Ku po kryesonin falë golave të Krymit dhe Dodajt që kishin përmbysur fillimisht avantazhin e vendasve. E patjetër pavarësisht se barazimi është një rezultat i mirë, mund të ketë shijen e “humbjes” për mënyrën se si erdhi. Por ajo që kënaqi shumë përveç rezultatit ishte edhe gjendja e skuadrës.

Të rikthyer vetëm para pak ditësh nga faza përgatitore, ku mund të mendohet se muskujt janë të rënduar, kjo nuk u vu re tek Vllaznia. Shkodranët iu përgjigjën “dhëmb për dhëmb” Valur, që nga ana e tij ndodhet në javën e 14-të kampionatit. Duke pasur kështu një formë fizike më se optimale.

Por as kuqeblutë nuk mbetën aspak pas vendasve, duke pasur një ritëm goxha të lartë e duke diktuar edhe lojën në shumicën e saj.
Fakt që jep shpresë për një kualifikim të Vllaznisë javën tjetër në Shkodër. Ku edhe me mbështetjen e tifozerisë shkodrane në “Loro Boriçi” optimizmi është i madh për kualifikimin ndaj islandezëve.
Endri ÇINARI