Kryesfida e kësaj jave në kampionatin shqiptar patjetër që do jetë ajo që do luhet të shtunën mes Vllanzisë dhe Tiranës. Klasikja e futbollit shqiptar vjen në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”, të Shkodrës. Duel që mbart jo vetëm historinë e pasur të së shkuarës, por edhe objektivat e sezonit aktual. Ku Tirana kërkon të sigurojë sa më shpejt titullin kampion.

E nga ana tjetër Vllaznia të jetë sa më afër kreut e sa më e sigurtë në rrugën drejt Europës. Në të dy kampet ka futbollistë që mund të bëjnë diferencën në çdo moment të sfidës. Patjetër që vëmendja shkon tek futbollistë si Seferi tek Tirana apo Latifi tek Vllaznia, por ndeshja do ketë në përbërje edhe emra të tjerë shumë interesantë.

Një prej tyre është Vesel Limaj. Mesfushori i Tiranës është një nga më të spikaturit të kampionatit tonë. Prej 4 sezonesh pjesë e Superligës, ku fillimisht kaloi 3 vite në rradhët e Kukësit e tashmë pjesë e bardhebluve, 25-vjeçari ka ditur si të jetë protagonist. Jo vetëm aftësitë si mesfushor organizativ, por edhe gjuajtjet e tij potente e bëjnë atë të rrezikshëm për kundërshtarët.

Limaj deri në këto momente ka shënuar 4 gola në kampionat, duke qenë një prej mesfushorëve që ka gjetur rrjetën më shpesh. Pavarësisht se mediatikisht ai nuk është një nga ata që bën bujë të madhe, ai është shumë i rëndësishëm për lojën e skuadrës së Tiranës. Tek Vllaznia duket se detyrën për të neutralizuar kosovarin do e ketë Krymi. Ku dueli mes mesfushorëve do jetë me të vërtetë interesant për tu ndjekur.
Endri ÇINARI