Kampionati shqiptar i futbollit do qëndrojë pushim me 10 ditë pas kësaj fundjave. Kjo për shkak të angazhimit të kombëtares së futbollit në ndeshjet e Nations League përballë Izraelit dhe Islandës. Por edhe kombëtarja u-21 do zhvillojë një grumbullim ku në plan janë edhe ndeshje miqësore.

Disa nga futbollistët që do jenë pjesë e skuadrës së drejtuar nga Alban Bushi tashmë dihen. Ku një prej tyre siç lajmëroi “Shkodra Sport” disa ditë më parë do jetë edhe Gerlab Smajli. Mbrojtësi i majtë i Vllaznisë që do ketë mundësi të përfaqësojë edhe kombëtaren. Por Smajli nuk do jetë i vetmi shkodran në listën e trajnerit kryeqytetas.

Nga burime të afërta për “Shkodra Sport” bëhet me dije se do jenë edhe 3 shkodranë të tjerë të grumbulluar. Kështu Marcelino Preka që tashmë aktivizohet tek Partizani ka gjetur vend në listën e Bushit. E po ashtu Mario Mitaj, që në verë kaloi nga AEK tek Lokomotiva e Moskës. Ndërsa edhe Andreas Ndoj i Olimpiakos tashmë duket se përfundimisht ka zgjedhur të jetë pjesë e kombëtares kuqezi.

Por edhe futbollisti me origjinë pukjane, Leandro Frroku që luan tek Panathinaikos duket se ka bindur trajnerin për ti bërë një ftesë. Një grumbull talentesh nga Shkodra, që pavarësisht se disa prej tyre të rritur dhe formuar jashtë vendit, përfaqësojnë më së miri traditën e futbollit shkodran në mbarë Europën.
Endri ÇINARI