Ishte një nga lojtarët bazë të formacionit të sezonit të kaluar tek Vllaznia dhe i dyti që shënoi më shumë. Fjala është për Haris Dilaver i cili në merkaton e verës u transferua në Maltë tek ekipi i Vallettas. Boshnjaku tashmë pas aventurave nëpër vende të ndryshme të Ballkanit, po provon edhe futbollin ishullor.
Por jo çdo gjë po shkon siç duhet për 31-vjeçarin. Jo vetëm që ende nuk ka gjetur golin e parë në kampionatin maltez me ekipin e ri, por është shndërruar në protagonist “negativ” në ndeshjen e fundit. Shtatlarti ka bërë një autogol në humbjen e skuadrës së tij Valletta kundër Hamrun në shifrat 0-1.
Sulmuesi ka “ngatërruar” portën nga e cila duhet të shënonte dhe fatkeqësisht ka dërguar topin në rrjetën e skuadrës së tij. Boshnjaku sezonin e shkuar me Vllazninë realizoi 11 gola duke qenë i dyti më i mirë pas Hoxhajt me 12 të tillë në kampionat. Duket se mëngjërashi ende nuk është përshtatur me kampionatin e ri.
Valletta aktualisht renditet në vendin e 5-të të renditjes me 20 pikë ndërsa vendi i parë mbahet nga Hibernians me 28 pikë. Duket theksuar se me ekipin e kryeqytetit maltez luan edhe mesfushori shkodran, Eslit Sala i cili është një titullar fiks i formacionit.
Endri ÇINARI