Vllaznia vijon të menaxhohet dhe financohet nga Bashkia Shkodër, ndërkohë që të gjithë në qytetin verior dëshirojnë që klubi t’i kalojë ndonjë biznesmeni. Kryebashkiakja Voltana Ademi është shprehur prej kohësh se po punohet me procedurat e privatizimit të klubit dhe mbetet për t’u parë se kur do të dalin aksionet në shitje.Gjithsesi, për të qenë të sinqertë, nuk po gjendet një model për vlerësimin e aksioneve dhe ky është një problem më vete, që po e zvarrit këtë proces.
Kohë më parë ishte Valter Fushaj ai që foli për mediat, duke thënë se është gati të blejë shumicën e aksioneve. Një tjetër personazh mund të jetë krah tij dhe bëhet fjalë për Xhevdet Amulin, ish-zëvendëspresident i kuqebluve. Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Star Sport” ku është shprehur: “Më është bërë qejfi që Fushaj ka ambicie për të marrë Vllazninë. Në fakt, për vete kontributin e suksesshëm që ai në klubin ‘Vllaznia’, kandidatura e tij duhet marrë në konsideratë dhe me përparësi, jo vetëm për garancitë financiare që ofron, por edhe për atë që ai e njeh me mirë se kushdo situatën te Vllaznia. Do të ishte më e lehtë të bëhej kthesa e kuqebluve në rezultate”, ka thënë Amulli një ditë më parë, duke pranuar se është i gatshëm të marrë edhe ai një pjesë të aksioneve.
© shkodrasport.com