Kanë kaluar katër muaj që kur humbi pronësinë e Milanit dhe që nga ai moment Jonghong Li vazhdon të tretet në harresë. Hapi më i ri i manjatit kinez është tërheqja e prokurës së dhënë zyrës ligjore “Eversheds”.

Me sa duket, ish-presidenti i “Djallit” ka vendosur të heqë dorë nga padia ndaj fondit “Elliott”, të cilin e akuzonte si shkaktar të falimentimit të tij të parakohshëm në krye të kuqezinjve.

Duke fituar këtë çështje, ai shpresonte të fitonte një pjesë të parave që pati investuar për të blerë Milanin, teksa me lëvizjen e re duhet të presë që amerikanët të shesin klubin milanez dhe të shpresojë që shuma të jetë sa më e lartë, në mënyrë që fondi të rikuperojë paratë që i pati huazuar Mr.Li e njëkohësisht t’i kthejë këtij të fundit një pjesë të shumës së investuar për të blerë klubin nga Silvio Berluskoni.

Minus kinez – Largimi i Jonghong Li nuk dëmtoi vetëm 50- vjeçarin. “Falë” tij, por edhe menaxhimit të Marko Fasones, Milani sot shënon humbje prej 126 milionë eurosh, ndërkohë që maksimumi i lejuar duhet të ishte rreth 70 milionë.

Siç bën të ditur klubi nëpërmjet një pasqyre financiare të publikuar në faqet e “La Stampa”: “Fitimet e shoqërisë ‘AC Milan’ janë rritur nga 212 në 255 milionë euro, teksa kostot arrijnë deri në 3544 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 22.7 përqindësh”.

Ardhja e Ivan Gazidhis duhet të përmirësojë akoma më shumë situatën, tek e cila kanë ndikuar pozitivisht edhe shtimet e buxhetit nga fondi “Elliott”, teksa tifozët shpresojnë që dëmet e bëra nga Jonghong Li të mos ndikojnë në të ardhmen e klubit.