Vllaznia ka zhvilluar paraditen e sotme stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes së parë të kampionatit, stërvitje kjo që është zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”. Stafi teknik ka kërkuar ta zhvillojë këtë seancë pikërisht në fushën ku do të luajnë nesër ndaj Laçit, në mënyrë që edhe futbollistët të mësohen me tapetin e stadiumit.

Nga sa bëhet e ditur, trajneri Jonuz ka grumbulluar për këtë ndeshje 5 nga lojtarët e huaj dhe vetëm Wenderson nuk është thirrur për këtë takim, ngaqë I duhet edhe pak kohë të kapë ritmin e grupit. Po ashtu edhe Ramadani nuk do të jetë I gatshëm për ndeshjen ndaj laçianëve ngaqë ende nuk e ka kaluar dëmtimin që ka patur.

Takimi do të startojë në orën 16.00 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe pritet me interes edhe nga tifozët shkodranë që mendohet të jenë të shumtë në numër. Klubi shkodran është duke marrë masat për një ceremoni festive për hapjen e kampionatit.

Dëshira është padyshim për një nisje me fitore të kampionatit, paçka se kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë si Laçi I cili ka kohë që ka nisur edhe përgatitjet ngaqë ka marrë pjesë edhe në Kupat e Europës.

Vllaznia ndërkohë është disi prapa në këtë drejtim ngaqë ka vetëm një muaj stërvitje megjithatë një nisje me fitore e kampionatit do të ishte një plus I madh për vazhdimësinë e mëtejshme.
www.shkodrasport.com