Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, e ka cilësuar humbje me vetëm një gjuajtje në portë atë të sotmen të ekipit të tij. Në “SuperSport” ai la të kuptohet se ishte i pakënaqur me gafën e portierit Laço, ndërsa komentoi edhe rastin e presionit në Shkodër me ngjarjen e tritolit në makinën e administratorit Lici.
“Nuk do ta pranoja se ishin 3 gjuajtje, por vetëm 1 në portë ndaj nesh. Shumë e rëndësishme është që hapëm ndeshjen, duhej ta kontrollonim, kishim mbajtje të topit, disa shanse për të shkuar 2-0. I pari gol ishte gabim ynë se nuk mundëm të fitonim duelin në ajër. Kur pëson golin e dytë në atë mënryë, nuk dua të them gjë për portierin por është shumë e rëndë. Automatikisht bie përqendrimi, bëhesh nervoz.
Para se të pësonim të dytin, u thashë lojtarëve që kemi 4 minuta, duhej të kontrollonim topin, por ndodhi ai gabim. Ishte e vështirë, në pjesën e dytë kishim shanse të mira. Me një krosim ku ishim 4 futbollistë tanët, u gjet kundërshtari dhe shënoi gol.
Duhej të krijonim më shumë raste, kishim mbajtjen e topit në fushë dhe pasime të mira. Ndodhi, nuk u mbyllëm mirë në golin e parë. Mirëpo çdo ekip kur ka rezultatin 1-1 duhet të jetë më i përqendruar dhe të mos pësojë, pas golit të tretë ishte e vështirë ta kthenim, edhe pse kishim shanse të mira. Nëse humb raste, edhe mund të pësosh.
Kjo situatë momentale do të vazhdojë, në futbollin shqiptar është shumë interesante se shumë pikë fituam si udhëtues. Mirëpo duhet të përmirësojmë gabimet e luajmë si në 30 minutat e parë.
Çështja e Licit? Jemi të izoluar e nuk kemi kohë të mendojmë për atë punë, mendojmë për ndeshjen. Frikë? Asgjë nuk më frikëson, e vetmja gjë që më frikëson është avioni. Dua t’i tregoj opinionit që nuk kam pasur as kam presion, as nuk i frikësohem, as nuk i kam nuhatur. Kam ardhur vetëm se e dua futbollin, nëse do isha i frikësuar do të kisha ikur”, tha Jonuz. /vipsport/