Fjoart Jonuzi është zyrtarisht futbollisti më i ri i Tiranës. Mesfushori kuksian është prezantuar nga klubi bardheblu të martën, duke ndryshuar në këtë mënyrë skuadër pas 3 vitesh.

26-vjeçari shkëlqeu këtë sezon me fanellën e Vllaznisë, aty ku shënoi edhe 7 gola duke qenë ndër lojtarët më të rëndësishëm. Kështu, Tirana plotëson vendin bosh të lënë nga Albano Aleksi, duke prezantuar një nga mesfushorët që ka spikatur më shumë.

Jonuzi e njeh mirë Superioren pasi për 3 sezone ka luajtur me Vllazninë, ndërkohë që ka luajtur në të shkuarën edhe me Kukësin e me Laçin, para se të shkonte te Gjilani në Kosovë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Jonuzi foli për zgjedhjen që bëri dhe çfarë do të bëjë skuadra bardheblu në Europë dhe kampionatin shqiptar.

Fjoart Jonuzi ishit lojtari më i kërkuar në merkato, përse zgjodhët Tiranën dhe jo një skuadër tjetër?

Zgjodha Tiranën, sepse është një nga klubet më të mëdha në Shqipëri dhe klubi me më shumë tituj në vendin tonë. Mendoj që është një eksperiencë dhe një hap përpara për karrierën time sportive. Duke parë edhe përbërjen e ekipit besoj që do të më ndihmojë për më tej.

Siç e thashë më lart, ishit shumë i kërkuar, pasi kishit oferta nga gjithë Superiorja?

Po, kam pasur shumë oferta. Por e mendova Tiranën si zgjedhjen më të mirë, sepse luftojmë dhe për titull kampion që besoj do të më motivojë edhe më shumë.