Rastësi apo jo, kjo mbetet për t’u parë. Por fakti është se Enea Jorgji ka qenë prezent në të dy skualifikimet e Vllaznisë nga Kupa e Shqipërisë si vitin e kaluar ashtu si dhe sivjet. Dhe në të dy rastet është kontestuar ashpër nga shkodranët. Sidomos ai i vjetshmi në Durrës ndaj Teutës ka qenë mëse i ligjshëm. Një 11-metërsh qesharak i akorduar në minutat e fundit në favor të durrsakëve për të zhbllokuar rezultatin fillimisht dhe më pas edhe në rastin e golit të dytë, lejim i lojës ndonëse ka prekje të topit me dorë nga vendasit, sollën një reagim të ashpër të drejtuesve të Vllaznisë që madje e konsideruan “non grata” këtë arbitër me stemën e FIFA-s.

Me dashje apo jo, Vllaznia vjet u eliminua në çerekfinale për faj të këtij arbitri. Edhe dje ai ka qenë prezent në një tjetër eliminim të kuqebluve dhe sërish është kontestuar. Me disa veprime të tij, ai ka qenë aspak bindës. Sidomos njëri nga anësorët e tij, Emigers Ganxhi që me flamurin lart gjatë gjithë kohës, është etiketuar si “Ismail Qemali me flamur në dorë”. Madje tifozët e kanë vazhduar edhe më tej humorin duke thënë: “Edhe Ismail Qemali e ka ulur ndonjëherë flamurin kurse ky asnjëherë”.Tifozët e pranishëm në “Loro Boriçi”, por edhe futbollistët dhe drejtuesit e Vllaznisë, kanë qenë shumë të revoltuar me arbitrimin e kësaj treshe ditën e djeshme dhe natyrisht që në ndeshjet e ardhshme marëdhëniet me këtë arbitër s’do të jenë të mira. Enea Jorgji me shumë siguri do të vazhdojë të jetë “non grata” për ta.

© shkodrasport.com