Vllaznia zhvilloi dje stërvitjen e fundit në Shkodër, pasi sot në mëngjes nisi udhëtimin drejt Rumanisë. Trajneri Mirel Josa provoi edhe formacionin që pritet të zbresë në fushë të enjten në orën 19:30 në stadiumin “Ion Oblemenco”.
Duket se dilema më e madhe është në majën e sulmit, aty ku Josa duhet të zgjedhë mes Ante Aralicës dhe Kaina Nunjesh. Ky i fundit u fut si zëvendësues në ndeshjen e parë, duke bërë një paraqitje mjaft të mirë pas minutës së 52-të.
Nga ana tjetër, kroati që e nisi titullar, ishte larg pritshmërive dhe vetë trajneri në konferencën pas ndeshjes pranoi që priste më tepër. Gjasat janë që Kaina të jetë titullar në Rumani, ndërsa Aralica ta nisë nga stoli.
Sa i përket pjesës tjetër të ekipit, në portë do të jetë Zogoviç, në mbrojtje konfirmohen Gurishta, Juriç, Bulatoviç dhe Hakaj. Në mesfushë Boshnjaku, Jonuzi dhe Marku, ndërsa në sulm Hoxhaj dhe Çoba.