Trajneri i Laçit, Mirel Josa, mendon se skuadra ka bërë mirë duke marrë parasysh lodhjen e mesjavës në Kupë. Tekniku deklaroi në “SuperSport” se ekipi kishte bërë mirë dhe se tashmë nuk duhej të përmendej si justifikim as mungesa e të pezulluarve e as largimi i Lushkjes drejt Moldavisë.
“Jam i kënaqur, jam i kënaqur me gjendjen që treguan lojtarët sa i përket 120 minutave më ndeshjen me Egnatian. Mënyra se si luajtën lojtarët, se si mbyllën hapësirat, kur kishim topin në zotërim, Patëm një 5 minutësh në pjesën e parë t ku nuk ishim në lartësinë e duhur. Dinamo u mundua të na kapte në linjën mes katërshes së mbrojtjes dhe mesfushës, e rregulluam. Skuadra ishte e përqendruar dhe me dëshirë për të fituar ndeshjen.
Ne e zgjidhëm shumë mirë problemin e kombinimit të Ibraimit me Çinedun. Nuk rrezikuam shumë, patëm dy momente ku Dinamo me gjuajtje nga jashtë zonës së rreptësisë na rrezikoi por janë gjëra që në futboll ndodhin. Duhet të respektojmë cilësinë e kundërshtarit, por edhe pozitat se Dinamo ka hyrë për objektiva të tjerë dhe tani po lufton për objektiva të tjerë.
Skuadra ka nevojë për 20-22 lojtarë, edhe prurjet që kemi afruar besoj se mund të hyjnë në mentalitetin e skuadrës por do edhe pak kohë. Ndërsa ata që kanë qenë, nuk kam asnjë lloj pretendimi se janë 100% të gatshëm dhe e kanë treguar dhe gjatë kohës kur nuk luanin e ishin të gatshëm për t’u futur.
Nuk mund të qajmë largimin e Regit, i cili ka ikur. Diskutohet ikja e Lushkjes, ne i urojmë suksese, por të tjerët janë shumë të impenjuar dhe shoh besimin që kanë lojtarët që futen në fushë. Ndeshjet do të jenë shumë më të serta dhe jam i kënaqur me mentalitetin që ka skuadra.
Duhej të shkonim më shumë në sulm me besim të tepërt, jo vetëm me pasin e fundit por edhe me rastet se Guindo i vetëm nuk mund të bëjë të gjithë punët, duhet shoqërimi i lojtarëve të tjerë. Duhet t’u thosha lojtarëve të racionalizonin edhe forcat se shumica e lojtarëve kanë luajtur 120 minuta vetëm 3 ditë më parë”, tha Josa.