Vllaznia po niset drejt Austrisë. Pak minuta më parë, afër autobusit, kuqeblutë po përcilleshin nga disa tifozë. Ndërsa medie të ndryshme ishin të pranishme, trajneri i shkodranëve Mirel Josa i është përgjigjur disa prej pyetjeve të gazetarëve.
Josa shfaqet optimist, megjithatë vë theksin te gjërat e nxituara që nuk duhet të ndodhin te Vllaznia. Më tej ai prek dhe programin në Austri, afrimin e Herald Markut dhe gjendjen e Liridon Latifit.
“Ne jemi të kënaqur kur i kemi të gjitha gjërat në kohën dhe momentin e duhur. Është periudha më e vështirë për një trajner sepse duhet të vendosi shumë gjëra. Them se jemi në vijë të drejtë, tani do mundohemi për fazën përfundimtare, duke marrë parasysh kushtet që na ka krijuar klubi.
Jam shumë i kënaqur që do jemi në Austri. Vazhdojmë punën, shumë llafe janë fukarallëk. Duhet të ulim kokën poshtë sepse siç dihet në këto momente nuk dalin të gjitha gjërat si i parashikojmë. Ne idetë tona i kemi, urojmë të bëjmë sa më pak gabime.
Markun e kam dashur vetë. Kam pasur përshtypje të miat. Kemi dyndje në mesfushë dhe kush është në gjendje më të mirë do luajë. Kam kërkesa për të gjithë, duhet të rrisim agresivitetin që të kemi sukses.
Liridon Latifi? Nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetsore, kam komunikuar me të besoj këto 2-3 ditë do të vijë në Austri.
Mendoj që gjithsecili do lojtarë në skuadër, por ndonjëherë ardhjet e tepërta prishin ekuilibra. Më inmtereson shumë ekuilibri ekonomik, që të jetë skuadër e lidhur”, u shpreh Josa.