Tekniku i Vllaznisë, Mirel Josa, ka folur për takimin ndaj Kastriotit dhe rëndësinë e tri pikëve në këtë sfidë. Sipas tij, Vllaznia i ka të gjitha kapacitetet që të arrijë më të mirën në këtë sfidë. Megjithatë, ai është i bindur se nuk ka vend për nënvlerësim. Ai ka vlerësuar skuadrën krutane duke e cilësuar atë si një skuadër me karakter që di të marrë pikë në Shkodër.
Në pamje të parë duket një takim i lehtë nesër (sot)?
E para e punës, unë nuk mund ta quaj skuadër të lehtë Kastriotin, sepse përveç kampionatit të sivjetmë, edhe në kampionatet e tjera ajo ka treguar se ka shpirt gare. Ka cilësi brenda saj dhe këtë e ka treguar në shumë përballje, e tregoi edhe javën e kaluar kur luajti si e barabartë ndaj Tiranës. Ju keni qenë koherent me ngjarjet që kanë ndodhur më parë në përballjet e Vllaznisë me Kastriotin, teksa kjo e fundit ka ardhur në Shkodër ka treguar karakter dhe ka marrë edhe pikë. Prandaj unë nuk e konsideroj aspak të lehtë ketë përballje. Unë nuk i konsideroj të fituara ndeshjet para se ajo të fillojë.
Me disa rikthime duhet që të jeni i kënaqur me kontingjentin e skuadrës?
Unë do të jem i kënaqur me kontingjentin e lojtarëve kur ata të jenë të gatshëm që të gjithë. Kemi probleme, probleme, të cilat shpresoj që të kalojnë sa më shpejt.
Sa vjen dhe gara vështirësohet?
Ne për këtë punë jemi përgatitur. Mbaroj ndeshja me Egnatian që na dha edhe anë pozitive, por edhe negative. E kemi parë çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë kemi bërë keq. Edhe nëse fiton një ndeshje nuk mund të themi që kemi bërë gjithçka mirë. Ne shikojmë veten tonë dhe të rikuperojmë aty ku duhet. Nuk ka më ndeshje brenda apo ndeshje jashtë, por ka ndeshje që fitohet, barazohet apo humbet dhe kjo e fundit nuk më shkon ndonjëherë ndërmend. Por duhet që të jemi shumë vigjilentë që të mos e sjellim situatën në të kundërtën tonë.
Kruja sërish në të djathtë të mbrojtjes?
Kruja është përzgjedhur nga drejtuesit e skuadrës për të qenë këtu në këtë konferencë, do të shikojmë nëse do të jetë në të djathtë të mbrojtjes apo diku tjetër. Kruja luan në dy-tri vende.
Kjo Vllaznia po shikon titullin?
Të gjithë e kemi synim atë, por për mua është e rëndësishme që të gjithë të shikojmë në radhë të parë që të arrijmë Kupat e Europës, por nëse arrihen të dyja bashkë do të ishte edhe më bukur.
Latifi po merr me shumë minuta, prisni më shumë prej tij?
Pres më shumë, qoftë nga Latifi, qoftë nga lojtarët e tjerë. Gjendja e tij nuk është optimale dhe po presim që të shikojmë një Latif sa më të përgatitur për të përballuar sa më mirë ndeshjet. Ai po merr minuta, por duhet që të shikojmë gjendjen e tij.
Vllazninë pritet që ta mbështesë edhe një publik në këtë përballje?
Do ta vlerësojmë maksimalisht edhe këtë takim sepse pritshmëritë e tifozëve ndaj nesh janë të mëdha dhe ato duan fitore në çdo ndeshje. Ata na kanë mbështetur qoftë brenda dhe jashtë prandaj ne duhet që të arrijmë më të mirën dhe t’i përshëndesim me fitore ato.