Në prag të ndeshjes me Teutën, trajneri i Vllaznisë Mirel Josa është ndalur njëherë të flasë për problemet që vëren tek skuadra e tij, të cilat ai ua ka bërë të qartë lojtarëve. “Vllaznia nuk është skuadër dhe duhet të bëhet e tillë. Në ekip mungon harmonizimi dhe sakrifica. Një ekip nuk duhet vetëm të ketë lojtarët por këto lojtarë duhet të jenë të lidhur jo vetëm taktikisht por edhe shpirtërisht, vetë ata me njëri tjetrin, me tifozët me drejtuesit e skuadrës, si futbollistët e rinj edhe të vjetrit. Duhet të luhet si skuadër sepse diferencat janë të vogla në kampionatin shqiptar dhe një neglizhim sado i vogël të ndëshkon ashtu siç na ndodhi në Kamëz. Neglizhuam në pjesën e parë duke mos qenë serioz në shënimin e golit dhe në pjesën e dytë e pësuam, ndryshe ishte Kamza shumë më serioze në lojë”-ka thënë ai. Ndërkohë trajneri i Vllaznisë ka folur edhe për ndeshjen me Teutën duke kërkuar përqendrim maksimal për të duke thënë: “Të gjitha ndeshjet i vlerësojme njësoj, është një takim shumë i vështirë, nuk duhet të kemi oshilacione në lojë, është një sfidë që nuk parashikohet. Duhet të kemi shumë kujdes sepse Teuta vjen me moralin lart në Shkodër. Edon Hasani është një mungesë e sigurtë sepse është dëmtuar, gjithë lojtarët bëjnë punë ndaj mungesa e tij është e rëndësishme për skuadrën. Disa nga ato që kanë lujatur ne Sarandë ndaj Butrintit janë rekuperuar dhe të gatshëm për përballjen me Teutën”.
Senad NIKSHIQI