Mbyllja e kampionatit duket se mund të sjellë ndërprerjen e bashkëpunimit midis fantazistit Kristijan Vulaj dhe Vllaznisë. Për një gjë të tillë dha një “sinjal” edhe trajneri i kuqebluve, Mirel Josa, në konferencën e djeshme për shtyp, teksa tha se fillimisht Vllaznia duhet të punojë me merkaton në dalje.

Edhe pse, trajneri kryeqytetas nuk përmendi emra, dihet botërisht situata në të cilën ndodhet tek kuqeblutë shqiptaro-malazezi i afruar me shumë bujë në merkaton e kësaj vere.

Nga njëra anë, futbollisti erdhi si një nga afrimet më të bujshme në skuadër, ku me të shihej një ekip më me fantazi, por në fakt deri më tani nuk ka rezultuar kështu.

Realisht, duhet thënë se shqiptaro-malazezi nuk ka qenë i “preferuar” nga trajneri Josa për të luajtur një ndeshje nga fillimi në kampionat, pasi në pesë ndeshje që është aktivizuar, ka ardhur gjithmonë nga stoli si zëvendësues, duke sjellë edhe një pakënaqësi nga ana e Vulajt, por që ai asnjëherë nuk e ka shfaqur hapur.

Në fakt, duket se midis palëve ka pasur edhe një “luftë të ftohtë” dhe mbyllja e kampionatit mund të sjellë ndërprerjen e bashkëpunimit midis palëve. Kujtojmë këtu se, Kristijan Vulaj ka firmosur një kontratë për tre vite me Vllazninë, por gjasat janë që bashkëpunimi të mbyllet që në janar.
Maringlen ZHIVANI