Pas kombëtareve, skena merret nga klubet, me kampionatet kombëtare që rifillojnë. José Mourinho, trajneri i Romës, ka folur sërish, duke dhënë një intervistë të gjatë për faqen “gameplan-a.com”, teksa tregon jetën e tij:

“Isha një student mjaft i mirë, i regjistruar në Fakultetin Ekonomik, por pas nja dy javësh vendosa se nuk ishte për mua. Para se të bëhesha trajner profesionist mësova shumë gjëra. Kisha mundësinë për të mësuar fëmijët me sindromën Down, ishte një përvojë e pabesueshme që më hapi një botë tjetër”.

Rëndësia e komunikimit: “Nuk është e mundur të jesh teknik i nivelit të lartë pa ditur gjuhë të ndryshme. Futbolli është universal, brenda një ekipi keni lojtarë të kombësive të ndryshme, ndaj nevojitet të gjeni ndjeshmërinë e duhur me të gjithë lojtarët tuaj. Pra, duhet të dini se si të komunikoni mirë, të flisni disa gjuhë për të përfituar më të mirën nga grupi juaj”.

Fillimet e karrierës së tij: “Unë fillova të punoj në botën e futbollit në vendlindje, me Sir Bobby Robson në Portugali, më pas pata mundësinë ta ndiqja te Barcelona. Për një të ri si unë ishte përvojë e pabesueshme. Më pas isha pjesë e stafit të trajnerit të Van Gaal, i cili ishte një menaxher krejtësisht i ndryshëm nga Robson. E gjithë kjo më dha mundësinë të mësoj për dy filozofi futbolli krejtësisht të ndryshme”.

Personaliteti i një lideri: “Për të qenë udhëheqës i një grupi, duhet të kesh një personalitet të madh dhe të marrësh vendime. Dhe ky aspekt është i panegociueshëm. Nëse seancat stërvitore fillojnë në 10 të mëngjesit, duhet të fillosj medoemos në orën 10. Unë nuk pres asnjë minutë. Mund të jesh edhe Diego Maradona, nuk pres e toleroj askënd jashtë orarit fiks.

Skuadra është gjëja më e rëndësishme, edhe nëse je lojtari më i mirë në botë. Të gjithë duhet të respektojnë rregullat dhe të tregojnë respekt për kolegët. Trajneri duhet të jetë i hapur, sepse punon me grup lojtarësh. Grupi ka nevojë për një zë për të udhëhequr. Një trajner duhet të dijë ta dëgjojë grupin për ta bërë atë të funksionojë si ekip. Ama, grupi ka nevojë për udhëzime për të funksionuar”.

Kuptimi i futbollit është të fitosh, jo të shesësh filozofi: “Kur shoh kolegët e mi që luftojnë për të mos rënë nga kategoria dhe arrijnë të shpëtojnë ekipin e tyre, për mua kjo është fitore. Të fitosh nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh një futbollist që ngre trofeun. Të fitosh nuk do të thotë vetëm të sjellësh në shtëpi një medalje apo një trofe. Gjëja më e rëndësishme në sportin tonë është të fitojmë, jo të shesim filozofinë. Nuk duhet të shesësh justifikime, duhet të jesh fitues”.

Rruga që të çon drejt suksesit: “Nëse dikush do të donte të ndiqte suksesin, do t’i thoja, përgatitu sa më mirë; mos u nxito shumë shpejt, sepse është shumë e vështirë. Pra, kur të filloni punën tuaj të parë si trajner, duhet të jeni gati. Nëse nuk jeni gati për atë punë, do ta humbisni shpejt. Do të shfajësoheni. Sekreti i suksesit qëndron në përgatitjen tuaj. Sa më i përgatitur të jeni, aq më pak shanse keni për të dështuar.”

Përvoja bën diferencën: “Është shumë e rëndësishme të ruash ekuilibrin dhe kjo është diçka që kam mësuar shumë nga përvoja. Fiton tri ndeshje radhazi, por nuk është parajsë, sepse herët a vonë vjen një disfatë. Humbni dy, tri ndeshje radhazi; nuk është as ferr, sepse do të dalësh nga ky moment i errët dhe do të kthehesh për të fituar. Mendoj se sa më shumë përvojë të kesh, aq më i ekuilibruar je. Dhe kur lojtarët ju shikojnë, ata shohin një guru tek ju, ata shohin para tyre një person të cilit mund t’i besojnë. Empatia do të thotë që të gjithë të shkojnë në të njëjtin drejtim”./telesport/