
Paraqitja e shkëlqyer e boksierëve tanë në Memorialin e 10-të Ndërkombëtar “Vllaznia 2013”, i ka entuziasmuar edhe drejtuesit e kombëtares shqiptare. Njëri prej trajnerëve të saj, pikërisht Jozef Sermi, duke folur për gazetën online
www.shkodrasport.com, do të vlerësonte punën e bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. “Suksesi i fundit nuk është rastësi. Sportistët por edhe ne si trajnerë kemi sakrifikuar jo pak, gjatë muajve të fundit me grumbullime të ndryshme dhe stërvitje intensive. Nëse fillimisht mendonin të zinin një apo dy vende të para, në fakt ia dolëm me tre, madje kishte edhe të tjerë që mund ta meritonin këtë gjë. Megjithatë sukseset e Zajmit, Zenelit dhe Demës janë mëse të merituar. Ata kanë treguar një performancë të shkëlqyer në këtë Memorial dhe jo më kot kanë sfiduar boksierë të një niveli të lartë”- ka thënë ai. Por nëse ka patur sukses, në rradhët e sportdashësve mund të ketë edhe dyshime nëse kundërshtarët e tyre kanë qenë boksierë të një niveli të lartë. Sermi heq çdo dyshim për këtë teksa shton: “Di të them se në rradhët e kombëtares ruse kanë qenë thuajse të gjithë boksierët kampion të vitit të fundit. Në rradhët e kombëtares bullgare kampionë dhe madje edhe boksierë ndër më të mirët e Botës vitet e fundit. Boksierë shumë të fortë ka patr edhe nga Skocia, Australia, Italia etj. Në këtë mënyrë nuk ka pse të nënvlerësojmë aspak suksesin e boksierëve tanë, përkundrazi ata duhet të përgëzohen në maksimum për atë çfarë po bëjnë”. Zëvendëstrajneri i kombëtares shqiptare të boksit Jozef Sermi nga ana tjetër ka folur edhe për planet e së ardhmes duke thënë: “Shumë shpejt do nisë puna për përgatitjet e marrjes pjesë në Kampionatin Europian që zhvillohet në muajin maj ndërkohë që objektivi jonë kryesor është marrja pjesë në Lojërat Mesdhetare që zhvillohen në muajin qershor dhe ku do të tentojmë marrjen e medaljeve. Mundësitë janë, të shpresojmë deri në fund”.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)