Njëri nga trajnerët e Vllaznisë pikërisht Jozef Sermi, më 18 shkurt do të udhëtojë drejt Uellsit bashkë me boksierin fierak Xhulio Vrenozi që është pjesë e kombëtares shqiptare, për të zhvilluar një trajnim dyjavor. Ky trajnim organizohet nga AIBA- Federata Botërore e Boksit Amator dhe bëhet kryesisht për vendet e vogla që janë në zhvillim. Federata Shqiptare e Boksit ndërkohë, për pjesmarrjen në këtë trajnim ka zgjedhur një nga boksierët më të mirë të vendit- Vrenozin si dhe një nga trajnerët e rinj të perspektivës- Sermin. Të dy ata tashmë kanë futur dokumentat në Ambasadën Britanike në Tiranë dhe më 18 shkurt do nisen për në Uells, në qytetin e Kardifit ku do të zhvillohet edhe stërvitja dhe trajnimi dyjavor. Kjo natyrisht që do jetë një gjë shumë e madhe si për boksierin tonë, në kuadër të përgatitjeve për aktivitetet ku do marrë pjesë për të synuar kualifikimin në Ljërat Olimpike të Londrës, por edhe për trajnerin Sermi për punën e tij në të ardhmen tek Vllaznia por edhe tek ekipi kombëtar.E ndërsa dyshja Sermi- Vrenozi do jetë në Uells për përgatitje, pjesa tjetër e ekipit kombëtar nën drejtimin e Zef Gjonit do marrë pjesë në një turne në Bullgari. Objektivi i drejtuesve të boksit për këtë vit është kualifikimi i një sportisti në Lojërat Olimpike, që do ishte edhe suksesi më i madh në historinë e këtij sporti.

www.shkodrasport.com