Opinion nga Alfred Lleshi

 
Verdiktet e sezonit futbollistik janë zbardhur në masën më të madhe. Titulli kampion mbetet sërish në Korçë, ndërkohë që zbresin nga Superiorja dy skuadra: Apolonia dhe Elbasani. Vendin e tyre në elitën e futbollit shqiptar do ta zënë debutuesit e Tërbunit dhe Bylisi. Mallakastriotët rikthehen pas një sezoni në Superiore, ndërkohë që Tërbuni e ka për herë të parë në historinë e vet si klub.

Duke iu referuar hartës së re territoriale të vendit, me 61 bashki, por edhe njëlloj “kufiri” të pranuar mes Shqipërisë toskë dhe Shqipërisë gegë (të paktën në dialektologji ky kufi është i njohur gjuhësisht, por jo vetëm), Lumi i Shkumbinit na dëshmon se shtatë skuadra i përkasin të ashtuquajturit, Veriu, ndërsa vetëm tri të tilla të ashtuquajturit, Jugu.
“Peshorja” e Kategorisë Superiore, sikurse shihet, anon nga pjesa e sipërme e hartës së vendit tonë, teksa aty janë pak më shumë se dyfishi i pjesës poshtë. Ky është produkti aktual i garave kombëtare në të gjitha kategoritë. Në Veri kemi derbi, për shkak të afërsisë së qyteteve që përfaqësohen në Superiore.
Kështu, Vllaznia dhe Tërbuni i përkasin të njëjtës Prefekturë, ndërkohë që me këto “valenca” do të jetë edhe përballja me kuksianët, që ndodhet mjaft afër gjeografikisht. Laçi ndodhet pak më në mes kryeqytetit dhe skuadrave të përmendura më lart, ndërkohë që edhe Tirana me Partizanin mund të përfshihen gjeografikisht tek pjesa e epërme e Shqipërisë. Derbi mes tyre është historik dhe do të vijojë të prodhojë antagonizëm pa fund. Teuta është po ashtu mbi Lumin Shkumbin, duke qenë e pozicionuar me kryeqytetaset pothuajse si edhe kurbinasit.
Në pjesën e poshtme të vendit mungojnë përplasjet e ashtuquajtura derbi. Bylis nuk do të ketë në elitë më Apoloninë, teksa ndërrojnë vendet si skuadra të së njëjtës Prefekturë, ndërsa Flamurtari dhe Skënderbeu mund të kenë çdolloj rivaliteti, por jo të afërisë si qytete. Korçarët i bie të përfaqësojnë tërë juglindjen e vendit, Flamurtari bregdetin e Jonit, ndërsa Bylisi pjesën e Myzeqesë e poshtë.
Kujtojmë se bashkitë e zgjeruara do të përfshijnë brenda vetes edhe nga dy skuadra, të kategorive të ndryshme. Fjala vjen, Bashkia e Shkodrës do të ketë në varësi Vllazninë dhe Adën; Bashkia e Laçit do të ketë Laçin dhe Mamurrasin, Bashkia e Krujës do të përfshijë Kastriotin dhe Ilirinë, etj. Se si do të funksionojnë këto klube nën një çati, atë të pushtetit vendor, kjo mbetet të shihet. Sepse, sikurse e ka treguar e shkuara, klubet e futbollit, që kanë qenë të varura nga bashkitë, nuk kanë qenë të suksesshëm. Imagjinoni tani, si do të vejë puna me dy skuadra, që duhen financuar nga e njëjta bashki!