Gjërat shpeshherë ndryshojnë dhe mënyra si rrjedhin ngjarjet është paksa e çuditshme. Basketbolli i Vllaznisë ndonëse në vend të fundit në renditje, ka gjetur sponsor dhe për të duket se po vijnë sërish ditë të mira. Krejt e kundërta me volejbollin.

Ndonëse kryeson renditjen, ekipi i meshkujve nën drejtimin e trajnerit Ermal Kraja kryeson me meritë kampionatin teksa ka fituar të shtatë ndeshjet e luajtura deri më tani. Nesër ndaj Skënderbeut do të tentojnë fitoren e tetë (8×8). Megjithatë kjo ecuri nuk i ka bërë përshtypje askujt.

Mungojnë sponsorët aq të domosdoshëm në raste të tilla sepse kampionati po hyn në një rrugë shumë të vështirë dhe prania e tyre është e domosdoshme, për të rivalizuar si të barabartë me ekipe si Partizani e Erzeni që kanë sponsorë të fuqishëm.

Por interesant është fakti se pjesë e këtij ekipi janë thuajse të gjithë sportistët që dy vite më parë u shpallën për herë të parë kampionë të Shqipërisë. Kemi të bëjmë me një brez të talentuar lojtarësh të cilët janë prej disa vitesh sëbashku në stërvitje dhe duket se ka ardhur momenti për të korrur një tjetër sukses.

Ata janë shumë pranë dhe do ishte detyrim që shkodranët t’i gjendeshin përkrah këtyre djemve dhe trajnerit të tyre. E rëndësishme është se të gjithë ata janë kampionë dhe duhet të jenë të tillë edhe në fund të këtij sezoni.
© shkodrasport.com