Pavarësisht ndonjë kërkese të drejtuesve të Adës për të ndryshuar ditën e kësaj ndeshje ose asaj të djemve në mes Tërbunit dhe skuadrës së tyre, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që të mos ndryshojë asgjë. Sfida vendimtare e kampionatit kombëtar të futbollit të femrave në mes “Juban Danjës” dhe Adës do të zhvillohet këtë të shtunë në orën 14.00. Ndonëse ka qenë një opsion zhvillimi i saj në stadiumin “Loro Boriçi”, nisur edhe nga kushtet atmosferike është vendosur që takimi të luhet në fushën sportive “Reshit Rusi”. Konsiderohet një ndeshje shumë e rëndësishme sepse përfundimisht do të vendosë për fatin e titullit kampion të femrave për këtë sezon. Ada kryeson renditjen me dy pikë më shumë dhe për rrjedhojë, ajo do luajë për dy rezultate në këtë ndeshje, fitore dhe barazim. Ndërsa për “Juban Danjën” nuk ka rrugë tjetër përveç fitores për të realizuar objektivin e vet. Trajnerët Dervish Haxhiosmanoviç dhe Kreshnik Krepi ka kohë që i stërvisin ekipet e tyre për këtë ndeshje. Në mungesë të përballjeve të vërteta në kampionatin shqiptar, ato kanë marrë pjesë në turne të ndryshëm që janë zhvilluar në vendet fqinje. Ada ka luajtur në Mal të Zi me disa prej ekipeve më të mira të Europës ndërsa “Juban Danja” në Kosovë teksa fitoi edhe kupën “7 marsi”. Fitorja e kësaj ndeshje dhe për rrjedhojë e titullit kampion, do jetë njëfarë justifikimi edhe për shpenzimet e mëdha që kanë bërë presidenti i Adës Lazër Matija dhe bashkëpresidentët e “Juban Danjës” Ferdinand Jaku dhe Agim Cani. E sigurtë është që do jetë një ndeshje shumë interesante dhe do dhurojë shumë emocione për tifozët që mendohet të jenë të pranishëm në fushën sportive “Reshit Rusi” pasditen e së shtunës.
www.shkodrasport.com
FAQJA E PARE FUTBOLL FUTBOLLI I FEMRAVE “Juban Danja”- Ada, sfida e titullit të femrave luhet të shtunën