Ditën e nesërme “Juban Danja” do të niset drejt Italisë për të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Citta della PaceQë do të zhvillohet këtë fundjavë në qytetin Roveretto.

Nën drejtimin e presidentit Ferdinand Jaku dhe stafit teknik të përbërë nga Kastriot Preka, Paula Jaku dhe Ardit Gjelaj, vajzat shkodrane do të mundohen të përfaqësojnë sa më mirë Shqipërinë në këtë aktivitet.

Interesant është fakti se në mes 16 futbollistëve që do jenë pjesë e ekipit “Juban Danja” në këtë aktivitet, do të jetë edhe një shkodrane 14 vjeçare e cila jeton në Itali dhe është e angazhuar me ekipin “Valle Varaita”.

Bëhet fjalë për Alessia Millaj e cila luan në repartin e sulmit dhe duket një futbolliste me shumë të ardhme. Presidenti Jaku e ka mirëpritur dëshirën e kësaj vajze dhe e familjes së saj për t’iu bashkuar “Juban Danjas” në turneun e Roverettos dhe tashmë ajo do të ketë mundësinë më të mirë për të treguar vlerat e saj të vërteta.

“Juban Danja” sipas shortit të hedhur do të jetë pjesë e grupit B bashkë me katër skuadra të tjera dhe pikërisht me FC Ferchhelm/Burk, USD Isera, FC Paulaner ëieden dhe ADC Leni.

Ndeshjet në grup do të zhvillohen në datat 20-21 dhe menjëherë pas tyre do të luhen ndeshjet gjysmëfinale dhe finale. Nga grupet do të kualifikohen dy të parat dhe ekipi shkodran i drejtuar nga trajneri Kastriot Preka do të tentojë të jetë në gjysmëfinale.
© shkodrasport.com