Katër ndeshje, katër fitore, një ecuri kampionësh për ekipin “Juban Danja”, por për fat të keq bëhet fjalë vetëm për katër ndeshjet e fundit. Sot ka mundur me rezultatin e thellë 9-0 ekipin e Pogradecit dhe në këtë mënyrë ka marrë një tjetër fitore.

Duket një ecuri e shkëlqyer e këtij ekipi, por duhet thënë se kjo është vetëm në javët e fundit sepse javët e para kanë qenë jo të mira për të. Gjithsesi shumë gjëra janë ndryshuar tashmë dhe vajzat e drejtuara nga trajneri Kastriot Preka tashmë janë në kuotën e 16 pikëve dhe mbajnë vendin e pestë në renditje.

Në takimin e sotëm ndaj Pogradecit të luajtur në kompleksin “Zmijani” ato nuk e kanë patur të vështirë të fitojnë. Goli i parë është shënuar shumë shpejt që në minutën e 7-të me anë të kapitenes Rrotani. Po kjo futbolliste do të shënonte edhe golin e dytë ndërkohë që të tretin do ta shënonte Ndoci në ’23.

Më pas rradha i ka ardhur futbollistes Selimi për të shënuar dy gola njëri pas tjetrit dhe në fundin e pjesës së parë do të shënonte edhe Haxhari. Kësisoj pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 6-0.

Në të dytën do të shënoheshin edhe tre gola të tjerë ku spikasin edhe dy nga Selimi sërish që plotëson “pokerin” e saj në këtë takim, ndërkohë që nuk mund të mungonte edhe një gol i Paula Jakut. Përfundimisht 9 gola të shënuar në 90 minutat e këtij takimi dhe asnjë i pësuar duke rregjistruar kësisoj një fitore të thellë.

Po sot ka luajtur dhe ekipi tjeter i Shkodres, ai AAS qe ka pritur ekipin Term dhe ky i fundit ka fituar 3-2. Golat per AAS jane shenuar nga Hallulli dhe Tukaj me 11-metersh. Ky ekip mban vendin e tete ne renditje.
© shkodrasport.com