Gabimi i bërë javën e kaluar ndaj The Door, i ka bërë futbollistet e “Juban Danjes” të “zënë mend”. Në ndeshjen e sotme, kjo skuadër ka pritur në Shkodër ekipin e Shkëndisë së Durrësit të cilën e kanë mundur thellësisht 8-1. Ka qenë një ndeshje pa rivalitet teksa me kthimin e trajnerit Kreshnik Krepi në krye të vajzave jubanase, gjërat janë më ndryshe. Tek ata nuk vërehen më shenja euforie dhe për rrjedhojë kjo është reflektuar në takimin e sotëm të fituar thellësisht ndërkohë që pjesa e parë ishte mbyllur 4-1.
Gjashtë prej golave në takimin e sotëm kanë patur për autore sulmuesen kosovare Advije Veliu, që kërkon të fitojë edhe trofeun e golashënueses më të mirë të kampionatit. Dy golat e tjerë për “Juban Danjen” në këtë ndeshje janë shënuar nga kapitenia Emanuela Jaku. Me këtë fitore të thellë, kjo skuadër tashmë pret ndonjë gabim të kryesueses së kampionatit, Adës e cila pret nesër në Velipojë ekipin e Tirana AS që është e dyta në renditje.
www.shkodrasport.com