Njëri nga ekipet pretendente për titullin kampion të këtij edicioni në futbollin e femrave, pikërisht “Juban Danja”, sot ka bërë një gabim të rëndë që mund t’i kushtojë ndoshta shumë në pretendimet e tij të mëtejshme. Ai ka barazuar në javën e parë të fazës së dytë të kampionatit në Shkodër duke barazuar 1-1 ndaj ekipit pa shumë pretendime të “The Door”. Kur dukej se do kishim një fitore të lehtë, pse jo edhe të thellë të kësaj skuadre nuk ka ndodhur kështu. Ndoshta edhe mungesa e trajnerit Kreshnik Krepi në pankinë për arsye personale, ka ndikuar në këtë drejtim sepse vajzat e Jubanit u duken disi të kënaqura nga fitorja e Kupës së Shqipërisë pak kohë më parë. Gjatë pjesës së parë, pati shumë raste të humbura dhe po ashtu edhe momente të lojës individuale të futbollisteve të këtij ekipi. Vetëm në minutën e 38-të kosovarja Advije Veliu ka arritur të shënojë pas një gjuajtje jashtë zone. Në pjesën e dytë, pritej që “Juban Danja” të luante më e çliruar pas shënimit të këtij goli por nuk ndodh kështu. Ka arritur të barazojë për ekipin “The Door” lojtarja më e mirë e tij Marsela Djegsina ndërkohë që gjyqtarja Fatjona Borova ka nxjerrë me karton të kuq një nga futbollistet e “Juban Danjës”. Po ashtu, dy futbolliste të tjera të saj, janë dëmtuar dhe në këtë mënyrë, ata nuk kanë arritur të shënojnë dot golin e fitores. Me këtë barazim të sotëm, “Juban Danja” ka humbur shansin e madh për të qenë në të njëjtin hap me ekipet e Adës dhe Tirana AS që kanë qenë para saj në renditje.

www.shkodrasport.com