Objektivi i lartë për t’i fituar të dy trofetë e këtij sezoni, ka bërë që drejtuesit e ekipit të futbollit të femrave të “Juban Danjës” të bëjnë katër goditje të forta në merkato.Ditët e fundit, ata kanë bërë realitet marrjen dhe firmosjen e kontratave me këta futbolliste. Bëhet fjalë për kapitenen e ekipit tonë kombëtar Aurora Seranaj si dhe tre futbolliste të tjera kosovare dhe pikërisht Nora Selmanin, portieren Viona Rexhepi dhe Sara Maliqin.Lajmi është bërë i ditur nga presidenti i këtij ekipi Ferdinand Jaku që për gazetën online shkodrasport.com, do të shprehej:


“Po bëjmë realitet ato çfarë kishim premtuar ditë më parë. Kemi afruar në skuadër katër lojtare cilësore, falë edhe ndihmës financiare që na ka dhënë disa donatorë dhe tashmë me plot gojën mund të them se jemi gati për të përballuar sfidat e ardhshme që na presin”. Duket se me këto përforcime, tashmë gjithçka është mbyllur sa i takon merkatos së këtij ekipi. Blerjet e realizuar në verë dhe këto katër të fundit në merkaton e janarit, janë mëse të mjaftueshme për ndërtimin e një ekipi shumë të fortë. Tek “Juban Danja” tashmë është shtuar edhe konkurrenca për një vend në formacion, çka tregon se stafi drejtues nuk e ka të lehtë të zgjedhë 11-shen me të cilën do të luajë në ndeshjet zyrtare. Prova e vërtetë për të, natyrisht që do të jetë ballafaqimi në Kupën e Shqipërisë ku mesa duket do të kemi një finale me Adën, ashtu siç kemi rivalitet mes këtyre ekipeve edhe në kampionat.

 

www.shkodrasport.com