Në kuadrin e javës së tretë të kampionatit të futbollit të femrave, dje në Shkodër është luajtur një ndeshje shumë interesante, ajo në mes “Juban Danjës” dhe Apolonisë.
Kjo e fundit ka pretendimet e saj për të rivalizuar deri në fund me Vllazninë kampione në fuqi dhe kuptohet që shfaqi më shumë dëshirë për ta fituar ndeshjen.
Në fakt edhe ia arriti sepse në “Reshit Rusi” triumfoi me rezultatin 5-2. Për “Juban Danjen” golat e shënuar nga Paula Jaku në pjesën e parë dhe Klaudia Rrotani në pjesën e dytë, nuk kanë mjaftuar për të marrë qoftë edhe një pikë në këtë takim.
Por ndonëse ka ndodhur kështu, ajo çfarë mbetet nga ky takim ka qenë një gol shumë i bukur shënuar nga Paula Jaku në minutën e 13-të të takimit duke barazuar shifrat për momentin në 1-1.
Ajo ka ekzekutuar një goditje dënimi nga një distancë e largët me portën kundërshtare dhe ka arritur ta dërgojë topin në rrjetë. Për më tepër, shikoni videon e këtij goli: