Në prag të nisjes së kampionatit të katërt kombëtar të futbollit të femrave, në pankinën e “Juban Danjës” ka patur një rrokadë trajnerësh. Kështu, Kreshnik Krepi që e drejtoi këtë skuadër sezonin e kaluar, madje fitoi edhe Kupën e Shqipërisë me të, nuk do jetë më trajner i saj. Ai ka preferuar të nisë punën me ekipin e 19 vjeçarëve të Tërbunit të Pukës. Vendi i lënë bosh nga largimi i Krepit nuk ka zgjatur shumë. Presidenti i këtij ekipi Ferdinand Jaku ka vendosur që t’ia besojë pankinën Emanuela Jakut, futbollistes kryesore të këtij ekipi. Ajo tashmë do të bëjë edhe detyrën e trajneres por edhe të futbollistes.

Jaku që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenes së këtij ekipi, po kryen studimet në Fakultetin e Edukimit Fizik në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Bashkë me të, në postin e zëvendëstrajnerit do të jetë Kristian Qershia, edhe ky student në të njëjtën degë të edukimit fizik. Jaku ndërkohë bëhet e ditur se është rregjistruar pranë FSHF-së për të marrë edhe liçensën e trajneres së futbollit të femrave. Ajo ka jo pak përvojë në këtë lloj futbolli sepse prej 7 vitesh e ushtron atë duke qenë ndër futbollistet e para në vendin tonë ndërkohë që tashmë do jetë edhe në rolin e trajneres.
wwwshkodrasport.com