Pas dy ditësh do të nisë kampionati i 11-të i futbollit të femrave dhe njëra prej ekipeve pjesmarrëse padyshim që është “Juban Danj”, ekipi i parë i futbollit të femrave në vendin tonë.

Në dy- tre sezonet e fundit, ky ekip ka patur disa oshilacione si rrjedhojë e largimit të vazhdueshëm të sportisteve, por në sezonin e ri pritet që të “Juban Danja” të ketë pretendime serioze.

Presidenti Ferdinand Jaku ka bërë çmos për ta forcuar ekipin me lojtare cilësore dhe deri diku ia ka arritur. Ditët e fundit ai ka ofruar plot 6 lojtare me të cilat padyshim që “Juban Danja” do të jetë më e fortë.

Kështu, ka ardhur futbollistja Denada Avullija nga Vllaznia dhe përpos saj edhe pesë futbolliste të tjera të marra nga ekipi Term. Kështu, me “Juban Danjen” kanë firmosur futbollistet Anela Vishkulli, Iris Beqiraga, Olesia Kamberi, Anxhela Aliu dhe Xhoana Muho.

Kampionati për këtë ekip nis të shtunën kur do të luajë në Kamëz ndaj Kinostudios, një ekip ky pretendent dhe kjo sfidë mund të konsiderohet edhe si barometër për “Juban Danjen”. Në rast fitoreje, gjërat do të marrin rrjedhë tjetër për të dhe me siguri që do të shohim një skuadër pretendente në javët e ardhshme.

Këtë gjë ka deklaruar edhe presidenti Jaku në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” kur shpalos pretendimin e ekipit të tij duke thënë: “Pretendojmë për njërin prej titujve dhe me gjithë vështirësitë shpresojmë të arrijmë objektivat”.

Kujtojmë që “Juban Danja” gjatë historisë së saj 14 vjeçare, sukseset më të mëdha i ka në vitet 2012 dhe 2013 kur ka fituar dy herë rresht Kupën e Shqipërisë, ndërkohë që ëndrra e madhe është padyshim fitorja e titullit kampion që deri tani ende nuk është arritur.
© shkodrasport.com