Ekipi nënkampion i Shqipërisë në futbollin e femrave- “Juban Danja”, në kuadrin e përgatitjeve për kampionatin e ri që starton më 20 tetor, do të zhvillojë ditën e hënë një ndeshje miqësore. Interesant është fakti se kjo miqësore nuk do luhet as në Juban dhe as në Shkodër por në Kosovë. Kundërshtar i këtij ekipi do jetë pikërisht nënkampionia e Kosovës, ekipi Trepça ’89. Lajmi konfirmohet për gazetën online shkodrasport.com nga presidenti i këtij ekipi Ferdinand Jaku që është shprehur: “Kishim një ftesë nga ekipi kosovar i Trepçes dhe sigurisht që nuk mund ta refuzonim jo vetëm për marëdhëniet e mira që kemi me to por edhe për një arsye tjetër. Siç e dini, jemi ekipi që kemi zhvilluar të parën ndeshje ndërkombëtare të futbollit të femrave teksa kemi zhvilluar të parën ndeshje më datë 18 maj 2008 ndaj po ndaj një ekipi kosovar. Kjo miqësore do na shërbejë edhe për të marrë gjendjen e skuadrës sonë në prag të nisjes së kampionatit të ri”.Kjo ndeshje miqësore do të shënojë edhe debutimin e trajneres Emanuela Jaku (Zalli) në pankinën e “Juban Danjës” pas largimit nga kjo detyrë e Kreshnik Krepit. Kampionati kombëtar që starton më 20 tetor, është i katërti në Shqipëri për femrat dhe pjesmarrës në të do jenë tetë ekipe, mes të cilëve edhe “Juban Danja” që ka pretendimet e veta për t’u shpallur kampion.
www.shkodrasport.com