
Njëri nga ekipet e Shkodrës në futbollin e femrave, pikërisht “Juban Danja” ka fituar sot pasdite me një nga rivalet kryesore të saj, ekipin Tirana AS me rezultatin 3-1 dhe ka siguruar thuajse përfundimisht vendin e dytë në tabelën e renditjes. Ndeshja është luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës. Të tre golat në këtë ndeshje janë shënuar nga lojtarja kryesore e ekipit shkodran, pikërisht sulmuesja kosovare Advije Veliu e cila pas 12 golave të shënuar në ndeshjen e javës së kaluar, ka shënuar edhe tre sot duke qenë kështu në vendin e parë si golashënuesja më e mirë e kampionatit.Ajo e ka dërguar topin në rrjetë në minutat 3, 7 dhe 14 ndërsa golin e vetëm për skuadrën mike e shënoi Artemida Dashi në minutën e 26-të. Me këtë fitore “Juban Danja” është ngjitur në kuotën e 26 pikëve duke siguruar pothuajse përfundimisht vendin e dytë në renditje.Ndonëse një takim mes rivalësh dhe shumë vendimtar për vendin e dytë të renditjes, ka qenë një ndeshje shumë e qetë, krejtësisht fair-play. Dy presidentët, Ferdinand Jaku dhe Genc Ymeraj kanë shtrënguar duart në fund të takimit dhe ky është një gjest që duhet përkrahur dhe përsëritur nga të gjithë drejtuesit e ekipeve të futbollit në Shqipëri.
Formacioni i Juban Danjës në ndeshjen e sotme ka qenë ky: Gjyste Ripaj, Klaudia Rrotani, Xhuljeta Preçi, Zhozheta Cali, Emanuela Jaku, Aidena Mustafa, Samela Muçejani, Endrina Elezaj, Paula Jaku, Sadije Koci. Janë aktivizuar në këtë ndeshje edhe Madalena Rrotaj, Romina Filipi dhe Marçela Ndoci.
www.shkodrasport.com