Pasditen e djeshme është zhvilluar një ndeshje miqësore në mes ekipeve të futbollit të femrave, “Juban Danja- Murlani” dhe ekipit Vizion te Ferizajt. Ky i fundit ndodhet në Shqipëri për të zhvilluar fazën përgatitore dhe e ka shfrytëzuar këtë gjë për zhvillimin e këtij takimi miqësor.
Ajo është luajtur në fushën sportive të Barbullushit dhe ka përfunduar në barazim 1-1. Ndonëse me shumë mungesa në rradhët e tij, ekipi shkodran ka bërë një paraqitje të mirë.
Trajneri Robert Karma ka hedhur në fushë shumë lojtare të tjera (kanë munguar 7 titullare për arsye dëmtimi dhe grumbullimi me kombëtaren) dhe ato e kanë justifikuar plotësisht besimin e tij.
Golin për ekipin “Juban Danja- Murlani” e ka shënuar mesfushorja Fabiola Caka që ka ekzekutuar në mënyrë perfekte një goditje dënimi. Kjo lojtare ka mbajtur edhe shiritin e kapitenes në këtë ndeshje.
Ky ekip tashmë do të fillojë të mendojë për fazën e dytë të kampionatit ngaqë është eliminuar nga Vllaznia në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë./SHKODRA-SPORT.COM/