
Ndryshime të shumta tek ekipi nënkampion i Shqipërisë dhe fitues i kupës së Shqipërisë në futbollin e femrave Juban Danja në prag të sezonit të ri futbollistik. Ndonëse stërvitja ende nuk ka filluar me ritmin e plotë, ajo zhvillohet rregullisht. Madje ky ekip nuk e ka ndërprerë për asnjë moment teksa ka zhvilluar edhe miqësore të ndryshme gjatë kësaj periudhe. Por ndërkohë pritet që në sezonin e ri kjo skuadër të mos ketë të njëjtën përbërje si një sezon më parë. Me shumë të ngjarë disa prej futbollisteve kosovare që kanë qenë pjes ë esaj në sezonin e shkuar, nuk do jenë më në përbërje të këtij ekipi. Po ashtu edhe kapitenia e ekipit tonë kombëtar Aurora Seranaj është rikthyer tek Tirana AS. Në kushte të tilla, pritet edhe njëherë një organizim tjetër i këtij ekipi kryesisht me vajzat shkodrane. Ndërkohë presidenti i Juban Danjës, Ferdinand Jaku ka bërë të ditur për “Gazeta e Sportit” se e ka zgjedhur edhe trajneren që do të drejtojë këtë ekip në sezonin e ri. Ajo është Emanuela Zalli (Jaku) e cila përveç detyrës së trajneres, është edhe një nga futbollistet më të mira të këtij ekipi dhe anëtare e kombëtares shqiptare. Ajo ka një eksperiencë të madhe në futboll duke qenë një ndër themelueset e këtij lloj futbolli në vendin tonë që në vitin 2005 si pjestare e “juban Danjes”, ekipit të parë të futbollit të femrave në Shqipëri. Kjo do të jetë hera e dytë që Emanuela Zalli (Jaku) do ta drejtojë këtë ekip sepse e ka bërë një gjë të tillë edhe fazën e parë të kampionatit të kaluar teksa më pas ia ka lëshuar vendin Kreshnik Krepit që prapëseprapë nuk arriti ta shpallë kampion këtë ekip. Pavarësisht ndryshimeve në përbërje dhe në drejtimin e skuadrës, ky ekip pritet të jetë sërish rivali kryesor për kampionen e vendit në fuqi, Adën e Velipojës. E gjithë kjo vjen falë punës intensive, përkushtimit dhe financave të presidentit të saj Ferdinand Jaku, një pasionant i jashtëzakonshëm i futbollit dhe që ka një meritë të madhe në zhvillimin e këtij lloj futbolli në vendin tonë, jo vetëm nga fakti se ekipi i tij është i pari i krijuar në Shqipëri por edhe për arsyen tjetër se “Juban Danja” pavarësisht se ende nuk është shpallur kampione e vendit, gjithnjë ka qenë pretendente duke i dhuruar një bukuri të madhe katër kampionateve të zhvilluara deri më tani në vendin tonë.
