Historia e futbollit të femrave në vendin tonë mban një emër si “pionieria” e tij. Bëhet fjalë për ekipin “Juban Danja”, i pari i krijuar në vendin tonë 12 vjet më parë.
Gjatë këtyre viteve, në rradhët e saj kanë kaluar shumë futbolliste të njohura që më pas, kanë kontribuar edhe për ekipe të tjera por edhe shumë trajnerë të njohur.
Nga këta të fundit, mjafton të përmendim disa prej tyre, duke filluar nga Kreshnik Krepi, Entri Çaku, Ilir Dibra, Nikoll Gjergji, Marin Jaku apo tashmë së fundmi edhe Kastriot Preka.
Por nga ana tjetër, “Juban Danja” po kthehet edhe në një “vatër” trajnerësh të rinj. Fotoja e mësipërme e tregon më së miri këtë gjë.
Ajo është bërë pak ditë më parë kur rreth 50 trajnerë të rinj morën liçensën “UEFA B” pas kursit të organizuar nga FSHF.
Interesant është fakti se 5 prej tyre kanë qenë ose janë sërish pjesë e ekipit “Juban Danja”.
Bëhet fjalë për Gjon Ndrekën, një nga trajnerët e parë të këtij ekipi, ish- kapitenin e kombëtares shqiptare Aurora Seranajn, e cila ka kontribuar vite më parë për këtë ekip si futbolliste.
Po ashtu është edhe Loreta Jaku, një nga futbollistet e para të Shqipërisë që tashmë do të jetë pjesë e stafit të “Juban Danjes”, ashtu si dhe Paula Jaku që do të mbajë përveç rolit të futbollistes, edhe atë të zëvendëstrajneres.
E pesta që ka marrë tashmë liçensën e trajneres është edhe Madalena Rrotaj, ish- futbolliste e këtij ekipi por që aktualisht luan për Vllazninë.
Presidenti i “Juban Danja” Ferdinand Jaku jo më kot ndjehet krenar duke pozuar me pesë trajnerët e sapodiplomuar.
© shkodrasport.com