Ekipi i futbollit të femrave të “Juban Danjës” do të zhvillojë një tjetër miqësore këtë fundjavë në prag të nisjes së ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë. Për këtë arsye, ditën e shtunë në orën 13.00 në fushën sportive “Reshit Rusi” do të luhet një miqësore teksa përballë ekipit shkodran do të jetë ai i Suharekës së Kosovës. Lajmi eshte bere i ditur per gazeten tone nga presidenti i kesaj skuadre Ferdinand Jaku. Kjo miqësore do t’i shërbejë trajneres Emanuela Jaku dhe stafit të saj për të parë edhe njëherë tjetër gjendjen e skuadrës. Në këtë miqësore, do të luajë për herë të parë në rradhët e “Juban Danjës” blerja më e re e saj, pikërisht kapitenia e ekipit tonë kombëtar Aurora Seranaj. Kjo do të jetë miqësorja e fundit për ekipin nënkampion të Shqipërisë sepse javën e ardhshme, pikërisht më datë 26 janar do të luhen ndeshjet e turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Sipas kalendarit të paracaktuar, skuadra e “Juban Danjës” e renditur e dyta në fund të fazës së parë do të ndeshet me skuadrën e vendit të shtatë në renditje. Megjithatë, prova me ekipin e Suharekës do të tregojë më së miri forcën e ekipit shkodran i cili bashkë me Adën do të jetë një nga dy ekipet që do ndajnë titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Sezonin e kaluar, Ada mori titullin kampion dhe “Juban Danja” Kupën. Po sivjet, çfarë do ndodhë?
www.shkodrasport.com