Kohët e fundit ka patur një debat të fortë për arbitrimin në mes Lorenc Jeminit dhe Sokol Jarecit teksa i pari ka folur për ndërhyrje të drejtuesve të Federatës tek arbitrat dhe i dyti i mbronte ata duke thënë se kanë një presion shumë të madh rreth tyre.
Në lidhje me këtë çështje ka folur edhe një tjetër ish- arbitër, shkodrani Ditmar Jubica i cili vendosi të tërhiqej prej tij si rrjedhojë e këtyre ndodhive në këtë fushë. I pyetur në lidhje me debatin e fundit, ai ne emisionin “Sport Arena” ku ka qene i ftuar, është shprehur:
“I kam lexuar deklaratat si të Jeminit ashtu edhe të Jarecit. Të dy ata këtu kanë jetuar dhe nuk kanë ardhur nga një vend tjetër. Edhe kur të dy ata kanë arbitruar ndoshta kanë ndodhur gjëra edhe më të forta dhe situata edhe më të vështira se këto të kohëve të fundit.
Ajo që më bëri përshtypje është pse Jemini ndërhyri në këtë moment, kësaj nuk di t’i jap përgjigje. Nga informacionet që kam, ai është hequr si vëzhgues që prej dhjetorit ose janarit dhe reagon në këtë moment.
Nëse ai vendosi të reagonte tani që e hoqën si vëzhgues, në fakt duhej ta kishte bërë këtë gjë më përpara, atëherë kur e hoqën nga arbitrimi. Nuk di të them nëse janë të vërteta ato që thotë ai se arbitrat komandohen nga njerëzit e Federatës sepse personalisht nuk më ka ndodhur.
Kam dëgjuar edhe unë për ndërhyrje të tilla, por nuk mundem t’i vërtetoj. Mosdeklarimi i arbitrave të ndeshjeve deri pak orë para fillimit të tyre, është një praktikë e gabuar. Një arbitër duhet të ketë më shumë kohë në dispozicion për ta përgatitur si duhet një ndeshje.
Nëse e merr vesh 3-4 ditë përpara se kë për të shkuar tek filan ndeshje, kuptohet që përgatitesh për t’i bërë ballë edhe presionit, duhet të krijosh imunitetin tënd për atë se çfarë mund të ndodhin, pavarësisht se tashmë janë përmirësuar shumë kushtet e zhvillimit të ndeshjeve dhe ka më shumë njohuri për ekipet dhe gjithçka tjetër”.
I ngacmuar se e kanë hequr nga arbitrimi ngaqë nuk ka pranuar ndërhyrjet, Jubica përgjigjet: “Mua nuk më ka hequr kush. Thjesht unë nuk kam pranuar të jem si disa arbitra që vazhdojnë të jenë edhe sot. Nuk kam pranuar ndërhyrjet? Po edhe ashtu mund të themi”./SHKODRA-SPORT.COM/