Tirana ka fituar në transfertë përballë Egnatias. Ndeshja e vlefshme për javën e 18-të të Superiores përfundoi me rezultatin 5-0 në favor të bardhebluve. Pas kësaj sfide, për mikrofonat e MCN TV foli trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj.
“Që në momentet e para e pamë që ishim agresiv. Tranzicionet i dhanë shtysë ekipit për të bërë gjërat në mënyrën e duhur. Përballë kishim një skuadër me cilësi, por Tirana është Tirana. Duhet të gëzojmë tifozët pasi futbolli luhet për ta. Kemi pasur shumë pësime golash që nga fillimi i kampionatit e deri më tani, por duhet të përmirësohemi. Jo e gjithë ndeshja ishte perfekte”, u shpreh Ahmataj.
-Keni nevojë të punoni në fazën difensive?
“Jo çdo gjë ishte perfekte. Duhet të vësh në presion lojtarin që ka topin. Por këto gjëra duan koordinim dhe impenjim maksimal. Të gjitha këto të çojnë në një skuadër solide. Duhet shumë punë dhe ne po punojmë.”
-Rendimenti i Abazajt dhe Latifit? Një punë e diferencuar e juaja të rrisë lojën e tyre?
“Ne presim shumë nga skuadra. Tifozët dhe ne presim më shumë nga këto lojtarë. Por kjo koha e pushimit do na ndihmojë të marrim pak frymë dhe të rikthehemi më të fortë. Haxhiu ishte shumë mirë, por edhe Abazaj me Latifin luajtën mirë. Duhet të koordinohen me skuadrën që të nxjerrin në pah cilësitë e tyre.”
-Kohët e lojës së kundërshtarit në presion, përdorët Deliun?
“E morëm përsipër rrezikshmërinë duke çuar në situata 1 kundër 1. Luajtëm me pasime të mesme dhe të gjata. Kjo ka rrezik, por djemtë e bënë mjaft mirë këtë gjë. Në momente të caktuara duhet të rrezikojmë.”
-A ka nevojë Ahmataj për sulmues të rolit?
“Çdo skuadër ka nevojë për sulmues. Ndryshimi ka ardhur për shkak dëmtimesh. Edhe tek portierët kemi shumë dëmtime. Edhe Kozi që luajti ishte me gjilpëra. Ndërsa pozicioni i Latifit është një rol që e ka bërë edhe më para. Largimi i Hasanit do t’i japë më shumë Latifit të jetë në akset qendrore.”
-Jeni i mërzitur?
“Nuk jam i mërzitur, madje jam shumë i lumtur. Jam i mërzitur që Tirana nuk është aty ku duhet, me pikët dhe renditjen. Kjo na motivon për të punuar më shumë.”
-Sot ndeshja e fundit e Ahmatajt në pankinën e Tiranës?
“Ahmataj erdhi si një trajner emergjent nga akademia. Në pozicionin që ishte klubi erdha për të dhënë kontriubtin për skuadrën. Jam munduar të jap maksimumin. Vendimet e klubit mund të merren në këtë moment, më para, ose më vonë. Jam trajner që kam detyrë për të punuar. Nuk jam aspak i shqetësuar. Nuk kam asnjë lloji sinjali në këtë aspekt. Tirana nuk ka luajtur vetëm këtë ndeshje mirë. Edhe në derbi ishim dominues, edhe ndaj Vllaznisë dhe Erzenit që kemi humbur. Kjo tregon që skuadra ka potencial dhe është në gjendje të mirë. Pastaj është dyshimi për staf. Padiskutim që dua të vazhdoj punën me këto djem.”