Redi Jupi, ish-futbollist e trajner në ekipet kombëtare, mendon se kriza që po shfaqin ekipet kombëtare të futbollit tonë, janë pasoja e problemeve të ndryshme me të cilat përballet ky sport në vendin tonë.
“Ne për fat të keq jemi një komb i cili shikojmë shumë por luajmë pak futboll. Ne kemi qejf ta shohim futbollin, ta komentojmë, të vëmë edhe baste, por e ushtrojmë shumë pak nga fëmijë e të rritur, kemi numrin më të ulët të ushtruesve në rajon”, deklaroi ish-trajneri i përfaqësueses U21 për “SuperSport”.
“Edhe ato pak fusha që janë i shohim bosh. Në vendet rrotull, fushat e futbollit rrallëherë i sheh bosh, ushtrohet sporti në çdo nivel. Te ne është një kulture futbollistike shumë e ulët.
Përveç numrit të ulët që kemi, kemi problemin e prishjes së shkollave të futbolli, kanë qenë shkolla që prodhonin futbollistë elitarë, Tirana, Dinamo, Partizani e Vllaznia.
Pastaj lojtarët tanë mbërrijnë në moshë madhore me shumë pak ndeshje në këmbë, orë punë, me shumë pak stërvitje të bërë në mënyrën e duhur. Futbollistët fillojnë të mësojnë futbollin duke luajtur në ekipet e para. Nuk kanë orë pune për aspektin teknik, taktik, psikologjik.
Edhe trajnerët nuk punojnë siç duhet me ta derisa arrijnë në ekipet e para. Disa vite më parë, as nuk diskutohej që vendet rreth e rrotull të dominionin me kombëtaret e moshave ndaj nesh, tani na mposhtin me rregullsi”, u shpreh Jupi. /vipsport/