Redi Jupi është i mendimit se Edi Reja ndaj Islandës ka filluar të njohë tamam ekipin kombëtar dhe atë që mund të bëjnë futbollistët e tij. Në “Procesi Sportiv”, ish-futbollisti i përfaqësueses argumentoi se ndeshja me Islandën si gjënë më pozitive kishte afirmimin e shumë emrave të rinj që janë e ardhmja e ekipit.

“Për nga faza që po kalonim ishte fitore e rëndësishme për situatën. Ekipi kombëtar dhe lojtarët që ka është e pamundur të bëjë humbje e performanca të këqija rresht. Ishte fitore me histori brenda, kishte më shumë vende për të parë shumë ulje-ngritje sesa fitorja në vetvete. Ishte e rëndësishme për moralin.

Ky është një trajner që nuk diskutohet dhe problemi është sa njeh skuadrën dhe sa mbështetet nga stafi. Bota është shpëtuar nga njerëzit që thonë jo në momente të caktuara, njerëzit që janë kritike, flas edhe për ndihmësit e tij. Asnjë trajner shqiptar nuk do i bënte ato gabime, është e mirë që po njeh tani skuadrën.

Një trajner duhet 5-6 muaj të njohë një ekip kombëtar, nëse do të mbështetet për të shmangur gabimet nga stafi. Mendoj se ne jemi larg kualifikimit por kjo performancë na jep besim. Patëm brenda ndeshjes edhe Francën, edhe Islandën, pamë konfuzion, organizim, lojtarë jashtë pozicioneve që mund të sillte humbje por sollën fitoren.

U arrit me dëshirë, impenjim. Jam i kënaqur që pati konfirmim të disa lojtarëve të cilët do të luajnë në 10 vitet e ardhshme me kombëtaren e jo të luajnë tani e të kthehen pas një viti.

Lojtarë të ekipit kombëtar nga U21 do të na vijnë, për mendimin tim ata që kanë shkuar më shumë në ekip kombëtar kanë qenë të Gegës, Bushatit e Hafizit. Edhe Bushi ka një brez të mirë lojtarësh, ka marrë rezultate të këqija, por gjenerata nuk është e keqe. Edhe unë kam rezervat e mia për mënyrën si shkoi ndeshja, por Shqipëria ka të ardhme”, tha Jupi. /vipsport/