Jurgen Bardhi ka qenë protagonist në suksesin e sotëm të skuadrës së Keçiorengyçy, e cila në këto javë të para të kategorisë së dytë turke po hedh pak nga pak kandidaturën për të qenë protagoniste për ngjitjen në elitë.
Ish-mesfushori i Partizanit, u aktivizua vetëm në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Erzurumspor, por u bë pas pak minutash protagonist i duelit pasi një harkim i tij nga këndi solli golin e Demir për rezultatin e përkohshëm 3-1.
Sfida u mbyll me shifrat 3-2 për Keçiorengyçy, që aktualisht gjendet në vendin e dytë në renditjen e kategorisë së dytë turke.
Ky ishte asisti i parë i këtij sezoni për Bardhin, i cili spikati në edicionin e kaluar me Tuzlaspor duke shënuar 4 gola e dhënë 3 asiste në atë që ishte viti i tij i parë larg kampionatit shqiptar.