Nga Maringlen ZHIVANI

Tërbuni, në dy ndeshjet e para të kampionatit, ka marrë vetëm dy pikë, pikërisht me Ilirinë në shtëpi dhe Adriatikun në Vorë. Këto dy barazime duket se nuk i kanë lënë të gjithë të kënaqur te Tërbuni. Drejtuesit pukjanë dhe trajneri Sinan Bardhi presin reagimin e skuadrës së tyre, duke nisur që në ndeshjen e rradhës, e cila do të jetë ndaj Basanias në stadiumin e Pukës.

Në lidhje me këtë takim, edhe sulmuesi i Tërbunit, Jurgen Gjini, në një intervistë për “Shkodra Sport”, ka shprehur besimin e tij të plotë se pukjanët do të arrijnë fitoren e parë në kampionat pikërisht përballë Basanias.

“Dy pikë në dy ndeshjet e para janë pak për objektivat që ka Tërbuni. Megjithatë, në ndeshjet tjera do synojmë fitore, duke nisur nga kjo javë në ndeshjen me Basanian. Jam i lumtur për golat që kam shënuar, por jo për pikët e marra. Objektivi jonë në dy ndeshjet e para ka qenë fitorja, por shpresoj që ndeshjet e ardhshme të shënoj sërish dhe golat të kenë vlerën e tre pikëve.

Me lojën e zhvilluar besoj se kemi merituar më shumë pikë, sidomos në ndeshjen me Adriatikun, skuadra jonë meritonte fitoren. Ndeshja me Basanian? Basanian e vlerësojmë si skuadër, por ne jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe besoj se fitorja e parë për këtë sezon e Tërbunit, do të jetë pikërisht përballë kësaj skuadre. Skuadra jonë është gati.

Jemi përgatitur gjatë gjithë javës për këtë ndeshje. Për mua, e rëndësishme është të fitojmë. Nëse shënoj, do të jetë një kënaqësi më tepër. Synimi kryesor është që Tërbuni të ngjitet në Kategorinë e Parë, pastaj për numrin e golave personal, shpresoj të jetë sa më i lartë”,-tha në prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, sulmuesi i Tërbunit, Jurgen Gjini./www.shkodrasport.com/