Për finalen e Championsit kundër Totenhemit ka ende kohë. Liverpuli i trajnerit Jurgen Klop ka përpara ndeshjen me Volverhempton, në javën e fundit të kampionatit, që vendos kush fiton titullin. Në konferencë shtypi, trajneri gjerman është shprehur:

“Për mua, finalja e Championsit nuk ka ndryshuar asgjë, thjesht do të jemi atje. Kam marrë miliona mesazhe, por askush nuk më fliste për ndeshjen e kësaj fundjave. Luajmë ndaj Volverhemptonit dhe jemi të përqendruar aty. Por kjo nuk ia heq meritat asaj që kemi bërë ndaj Barcelonës.

Sigurisht, ishte një nga momentet më të mira të historisë së futbollit, jo vetëm për Liverpupin. Tani mendojmë për ndeshjen e radhës, që duhet ta përballojmë me besim.

Finalja e Championsit? Njerëzit flasin shumë për milionat e eurove, por nuk është vetëm kjo. Mjafton të shikoni Totenhemin, që verën e kaluar nuk bëri asnjë blerje. Kemi shkuar në finale, sepse e kemi dashur, ishte dëshira jonë, edhe pse shumë prisnin një sfidë mes Barcelonës dhe Mançester Sitit.

Edhe në Europa League kishte skuadra shumë të forta, si Valencia dhe Napoli, me lojtarë që nuk janë inferiorë ndaj tanëve. Nuk është diçka që ndodh shpesh që të jenë katër skuadra angleze në dy finale. Është një vit i madh për Anglinë”./Vipsport/